Ç’do të thotë të jesh homoseksual në Tiranë?

“Kam bezdi kur kam afër ndonjë homo, me thënë të drejtën nuk e duroj dot, më vjen t’i fus një dru të mirë. Dreqi e mori çfare meshkujsh janë ata. Ta shpifin, nuk i shoh dot me sy.” Ky burrë tiranas nuk është i vetmi që mendon kështu.

Bezdia, neveria, mospranimi janë shfaqjet më të hasura të homofobisë se burrave në Tiranë. Kur në metropolin e vendit, që ka një mendësi më të hapur, ka një perceptim të tillë të burrave ndaj pjesës së tyre homoseksuale, kuptohet sesi ai radikalizohet në qytete të tjera dhe në provinca të mbyllura të Shqipërisë. Nga ana tjetër një qëndrim i tillë i vetë burrave ndaj homoseksualitetit është një barometër për gjithë shoqërinë, shigjeta e të cilit arrin ngjyrën e kuqe të alarmit.