Tritan Shehu nën akuzë nga homoseksualët, Komisionerja: Dua shpjegime

Tritan Shehu homofobia gay homoseksualTritan Shehu rrezikon të gjobitet nga Komisioneri për Mbrotjen nga Diskriminimi, me një shumë nga 10 mijë deri në 60 mijë lekë. Arsyeja është deklarata e nënkryetarit të Komisionit të Shëndetësisë, në një nga seancat dëgjimore më 1 dhjetor 2010 të komisionit për situatën e virusit të HIV/AIDS në Shqipëri, ku deklaroi se: "Ka ardhur momenti që popullata të jetë e ndërgjegjësuar, se homoseksualiteti është një element i cili shton HIV-AIDS-sin. Homoseksualiteti duhet trajtuar si nga ana mjekësore për çështjet hormonale, ashtu edhe nga ana psikologjike". Menjëherë pas kësaj deklarate, të botuar në gazetën "Panorama", reaguan organizatat në mbrotje të të drejtave të homoseksualëve. Një nga aktivistët, Kristi Pinderi, botoi një opinion në "Panorama" 3 ditë më pas, ku e akuzoi Shehun si një politikan homofobik. Ai shtoi se ka nisur një ankesë pranë Komisionerit, duke e paralajmëruar për një gjobë financiare për këtë deklaratë, sipas tij, diskriminuese. Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Irma Baraku, i dërgoi një letër Tritan Shehut, ku i kërkon shpjegime, si dhe e informon se brenda 30 ditëve do të merret një vendim. Nga ana e tij, deputeti Shehu reagon duke deklaruar se si deputet nuk është i detyruar të japë shpjegime të tilla. Më tej, ai pretendon se në respekt të etikës, ka dhënë mendimin e tij dhe nuk ka diskriminuar homoseksualët siç pretendohet nga 3 shoqatat që e kanë "paditur". Gazeta publikon sot korrenspondencën zyrtare mes Komisionerit dhe deputetit Shehu, si dhe argumentet e tyre mbi deklaratat.

Letra e Komisioneres Irma Baraku



I nderuar z Shehu!
Bazuar në nenin 33, pika 5 e ligjit nr 10 221 datë 04.02.2010 "Për Mbrotjen nga Diskriminimi", Zyra e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi ju vë në dijeni se ndaj jush është paraqitur një ankesë me objekt pretendimi për diskriminim. Në cilësinë e nënkryetarit të Komisionit Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale e Shëndetësisë, ju jeni objekt ndaj të cilit ka parashtruar pretendimin për diskriminim pala ankuese në proces LGBT Pro Albania, PINK EMBASSY dhe Aleanca Kundër Diskriminimit, si organizata me interesa legjitime. Pretendimi i palës për diskriminim, për shkak të orientimit seksual, rezulton në veprimin e mëposhtëm:
Në datën 1 dhjetor 2010, Komisioni Parlamentar i Punës, Çështjeve Sociale e Shëndetësisë ka organizuar, me kërkesë të LGBT Pro Albania, PINK EMBASSY dhe Aleanca Kundër Diskriminimit, një seancë të hapur dëgjimore, në lidhje me situatën e personave të prekur nga HIV/AIDS në Shqipëri, përfshirë edhe komunitetin LGBT në vend. Gjatë kësaj seance dëgjimore pretendohet se nga ana juaj jeni shprehur haptazi:" Homoseksualiteti duhet trajtuar si nga ana mjekësore për çështjet hormonale, ashtu edhe nga ana psikologjike".
LGBT Pro Albania, PINK EMBASSY dhe Aleanca Kundër Diskriminimit shprehen se deklarata të tilla janë fyese, diskriminuese dhe denigruese për komunitetin LGBT në Shqipëri sepse kurat hormonale janë kura mjekësore, që bëhen për pacientë për probleme shëndetësore, me qëllim kurimin e një pasoje. Ndërkohë që Organizata Botërore e Shëndetësisë ka miratuar zyrtarisht heqjen e homoseksualitetit nga lista e sëmundjeve. Komisioneri për Mbrotjen nga Diskriminimi, pas marrjes së ankesës me përmbatjen e mësipërme dhe me qëllim verifikimin e fakteve, konstaton se del e nevojshme dhënia e shpjegimeve nga ana juaj si subjekt kundër të cilit është paraqitur ankesa, brenda 30 ditëve nga data e marrjes së njoftimit, në lidhje me pretendimet e mësipërme të palës ankuese, si dhe çdo argument tjetër të bazuar që ka të bëjë me këtë çështje, për të cilat ju gjykoni se do e ndihmojnë procesin drejt një zgjidhjeje sa më të drejtë dhe duke synuar në sqarimin sa më të shpejtë dhe përfundimtar të pretendimeve të ngritura nga ankuesit. Këtë kërkesë për shpjegime e bazojmë në pikën 7 të nenit 33 të ligjit nr 10 221, datë 04.02.2010 "Për Mbrotjen nga Diskriminimi", ku thuhet shprehimisht se: " Me marrjen e ankesës, komisionari verifikon faktet. Për këtë qëllim, komisionari mund t'u kërkojë ankuesit dhe personit kundër të cilit është drejtuar ankesa, të paraqesin parashtrime me shkrim brenda 30 ditëve nga dita që palët marrin njoftimin..."
Duke besuar në mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj
Komisionere Irma Baraku



Përgjigja e Tritan Shehut



E nderuar Zonja Baraku!
E mora letrën tuaj të dërguar më datë 21.12.2010 dhe e lexova me habi. Megjithatë vendosa t'ju përgjigjem, për hir të respektit ndaj institucioneve të shtetit. Së pari, dëshiroj t'ju kujtoj se unë jam deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe si i tillë nuk jam i detyruar të jap shpjegime për çfarëdo që them, në kryerje të funksioneve të mia. Së dyti, ju më dërgoni në atë letër një togfjalësh, jashtë çdo konteksti, që thuhet se më referohen mua, sipas një "denoncimi" të bërë nga një organizatë joftimiprurëse homoseksualësh dhe transeksualësh për "diskriminim" ndaj tyre. Bëhet fjalë për punimet e një mbledhjeje të Komisionit Parlamentar, në ditën ndërkombëtare të luftës kundër HIV-AIDS. Më tej, ju më kërkoni shpjegime për këto "fjalët e mia". Kjo më la një shije shumë të keqe. Së treti, ju më dërgoni këtë "togfjalësh" dhe disa "komente", pa më dërguar materialin e plotë në bazë të të cilit ju më akuzoni, material me të cilin unë jam njohur vetëm nga një botim i tij në gazetën "Panorama" dhe për të cilin do të jap disa konsiderata më poshtë. Së katërti, unë besoj se ju duhet ta dini, që në një vend demokratik askush nuk mund të akuzohet për mendimet e tij, por për veprime konkrete të kryera. Në rastin konkret, unë jam i bindur që jo vetëm veprimet e mia, por dhe mendimet e idetë e mia kanë qenë, janë e do të jenë nga më demokratiket, shumë larg çdo forme diskriminimi, ndaj kujtdo qoftë. Së pesti, unë dëshiroj t'ju them që nëse flitet për diskriminim e fyerje, ato janë bërë në adresën time e ndodhen në materialin, që ajo OJF ka publikuar kundër meje dhe që jua ka dërguar edhe juve. Kjo gjë është ripërsëritur në përmasa më të mëdha dhe në një të ashtuquajtur spot televiziv. Mendoj se këto elemente duhet t'ju shqetësonin së tepërmi juve dhe duhej t'ju vinin në lëvizje, në kryerje të funksioneve tuaja.
Në lidhje me letrën që më dërgoni, dëshiroj t'ju vë në dijeni që mbledhja e Komisionit Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, e datës 1.12.2010 nuk është organizuar në bazë të ndonjë kërkese nga ajo apo tjetër OJF, siç shkruhet, por me kërkesë e vendim të vetë komisionit. OJF-ja që ju përmendni nuk ka qenë pjesëmarrëse në këtë mbledhje. Për këtë dhe për ato, që janë thënë në atë mbledhje ekziston nje procesverbal, i cili është vendosur dhe në uebsite të Kuvendit të Shqipërisë.
Ndërsa në lidhje me qëndrimet e mia ndaj homoseksualëve e transeksualëve, ju siguroj se ato kanë qenë gjithmonë në përputhje me principet e demokracisë. Po jua përsëris shkurtimisht, megjithëse nuk kam asnjë detyrim për ta bërë këtë gjë: Kam qenë e jam kurdoherë, kundër çdo forme diskriminimi e ndaj kujtdo qoftë ky: si politikan, si mjek, si profesor etj. Unë respektoj në punën time vetëm ligjet e shtetit tim dhe rregullat demokratike. Në qëndrimin tim ndaj homoseksualëve nuk kam pasur asnjëherë, asnjë qëndrim diskriminues ndaj tyre si individë. Dëshiroj t'ju kujtoj se unë si deputet, që më 1991, kam qenë i pari që kam kërkuar abrogimin e Kodit Penal, në nenin ku parashikohej dënim penal për ta. Po kështu, kam theksuar prej vitesh të drejtën e tyre për të krijuar shoqata apo organizime të tjera të ngjashme. Në lidhje me miratimin e ligjit për mbrotjen nga diskriminimi, ku përsëri ajo OJF mashtron në materialin e saj, unë kam qenë një nga përkrahësit e tij, duke kontribuar në përmirësimin e miratimin e atij ligji, si drejtues i komisionit parlamentar përgjegjës. Nga ana tjetër, interpretimi dhe insistimi i tyre për ta lidhur këtë ligj në mënyrë të veçantë me homoseksualët, është i gabuar e spekulativ. Diapazoni i këtij ligji është shumë më i gjerë.
Ndërsa mendimet e opinionet e mia personale për homoseksualitetin, transeksualitetin etj. si fenomene, në mospërputhjen e tyre me normën, qëndrimin tim të vendosur për ruajtjen e përbërjes së familjes prej burrit e gruas, për mosdhëniën e të drejtës së adoptimit të fëmijëve çifteve homoseksuale, transeksuale etj, unë i kam shprehur publikisht. Po kështu, unë nuk kam hezituar të shpreh qartë konsideratat e mia thellësisht negative për atë lloj kirurgjie spekulative të transformimit seksual, apo forma të tjera, që bien ndesh edhe me Konventën e KIE, që ne e miratuam pak kohë më parë në Kuvend. Këto janë praktika "mjekësore transformuese", që qëndrojnë shumë larg principeve të Hipokratit, dinjitetit e moralit njerëzor dhe që në të vërtetë diskriminojnë Njeriun vetë, Veprën e Natyrës apo të Perëndisë.
Nga ana tjetër, unë jam i bindur se jo vetëm gjatë veprimtarisë apo vendimeve, që unë kam marrë në funksione të ndryshme, por edhe me bindjet e mia personale, qoftë dhe për këto çështje, asnjëherë nuk kam fyer apo diskriminuar asnjë individ. Përkundrazi, në mënyrë modeste jam përpjekur të mbroj vlerat morale e etike mbi të cilat ndërtohet shoqëria njerëzore. Këto vlera janë veçanërisht të shenjta për popullin tonë. Gjithashtu, jam përpjekur gjithmonë për të transmetuar, veçanërisht tek të rinjtë, idenë që njeriu, asgjë që e devijon nga norma nuk duhet ta pranojë si fatalitet, por përkundrazi ai gjithmonë mund e duhet të gjejë forca të brendshme për të korrigjuar diçka brenda vetes. Në këto përpjekje, dhe shoqëria në tërësi duhet e mund të japë kontributin e saj të madh pozitiv. Unë nuk besoj se kjo mund të interpretohet si diskriminim ndaj dikujt. Në rast se po, unë nuk e di se çfarë duhet të bënin duhanpirësit, pirësit e alkoolit etj, për atë që ne themi çdo ditë, apo dhe vendosim me ligj për dëmet e duhanit, alkoolit, etj. !!!
Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj,
Tritan Shehu

burimi: Panorama.com.al