• Regjistrohu
    *
    *
    *
    Fields marked with an asterisk (*) are required.
English

Humori që fyen dhe diskriminimi i sofistikuar

Ndaje ne Facebook

Në komentin e z. Koloreto Cukali që po e botojmë sot, e që është një replikë me një shkrim të mëparshëm të z. Mustafa Nano, ka disa aspekte që nuk e orientojnë dot publikun të njohë siç duhet jo vetëm botën gej, por në përgjithësi kauzën për të drejtat e komunitetit LGBT.

Së pari, kur Cukali shkruan se “gejtë me përvojë manipulojnë mendjet e njoma dhe seksualitetet ende të turbulluara të 14-16 vjeçarëve”, pa e kuptuar as ai vetë ndoshta, është duke denoncuar një krim të mirëfilltë e konkret dhe jo një fenomen. Fenomeni do të quhej më së pakti pedofili dhe sipas shumicës së studimeve amerikane (mbi të cilat u mbështet organizata e psikologëve amerikanë për ta hequr homoseksualizmin nga lista e sëmundjeve, në vitin 1972) mësohet se pedofilia, në fakt, është një formë krimi që ka karakterizuar më shumë popullatën heteroseksuale dhe jo homoseksualët!

Sot është rënë dakort se pedofilia, megjithatë, është një fenomen që nuk ka, detyrimisht, asnjë lidhje direkte me orientimin seksual të pedofilit, cilido qoftë ai. Aludohet se është komuniteti gej ai që abuzon me fëmijët, ndërkohë që sot gjithnjë e më shumë organizata ndërkombëtare po hedhin dritë mbi krimet dhe abuzimet që janë ushtruar dhe ushtrohen në mënyrë të përsëritur ndaj komunitetit gej. Ky i fundit, është të paktën 3 herë më i rrezikuar për të qenë viktimë e abuzimeve seksuale në moshë të re dhe ç’është akoma më e rëndë, komuniteti gej është i fundit ndër komunitetet e marxhinalizuara që hedh hapin të raportojë një krim që është kryer ndaj tij. Ka një logjikë shumë të qartë pas kësaj: kanë frikë se zbulohet që ata apo ato janë gej…

Për pasojë, studimet e frikshme kanë treguar se në botën perëndimore të rinjtë gej kanë menduar të paktën 20 herë më shumë vetvrasjen, se të rinjtë heteroseksualë, gjatë moshës së adoleshencës kryesisht.

Pasi vdiqën edhe dishepujt e fundit të Krishtit, ata që krijuan Kishën në ditët e para të saj, njerëzimi mundi të shpikë disa nga format më të egra dhe më ç’njerëzore për të shtypur popullatën gej, mundësisht për ta zhdukur atë. Për qindra vite me rradhë, gejtë janë vrarë, janë masakruar, janë burgosur, janë torturuar, shtypja ka qenë e tillë që I ka detyruar miliona njerëz të jetojnë nën panik, e me frikën se një ditë do të zbulohen. Cili ka qënë krimi ndaj tyre? Kanë dashur dikë të të njëjtit seks. Për këto arsye, ndryshon shakaja që bëhet ndaj politikanëve, apo ndaj biondeve, me “shakanë” që bëhet ndaj komunitetit gej.

Së dyti, fjalia e mësipërme, e cila në fakt i tingëllon shumë keq çdo aktivisti për të drejtat e njeriut, tregon sipas gjithë gjasave për një krim të mirëmenduar, që duhet detyrimisht të denoncohet, në mënyrë që drejtësia të vihet në vend. Cukali po përshkruan një formë përdhunimi që bazohet mbi presionin e mirëllogaritur psikologjik, jo detyrimisht mbi dhunën fizike. Kujt rasti i referohet? E ka dëgjuar nga dikush? Ia ka treguar viktima?Apo“dhunuesi”? Eshtë mirë që kjo të sqarohet, pasi në të kundërtën pohime të tilla shtojnë me pa të drejtë diskriminimin shoqëror ndaj homoseksualëve. Do të thotë: le të flasim për të vërtetën, gjithë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, ose në të kundërtën më mirë të heshtim, nëse thashethemet në formë paragjykimi, dëmtojnë jo një person, por një komunitet të tërë.

Së treti, është shumë normale të bëhet humor. Humori të zgjat jetën. Të bën të ndihesh më mirë. Por, kur humori nuk shkakton ndjesi positive, atëherë ai nuk është diçka e shëndetshme, është diçka e panevojshme, që mund të frymëzojë çimentimin e urrejtjes që ne të gjithë e dimë se ka ndaj komunitetit gej në shoqërinë tonë, e jo vetëm ndaj atij komuniteti. Eshtë e apdrejtë të bësh humor të zi me një komunitet që sot jeton një frikë të papërshkrueshme që e detyron të jetojë një jetë të dyfishtë, e që e detyron edhe të marrë, në formë vetëmbrojtje vendime të vështira, ndonjëherë shumë të gabuara, si përshkrimi që Cukali bën për burrat që martohen me pahir për të gënjyer veten, familjen dhe shoqërinë e për ta patur sit ë fundmen provë se ai nuk është homoseksual…

Së katërti, kam përshtypjen se burrëria, në fakt, nuk ka të bëjë detyrimisht me orientimin seksual (për ta lidhur këtë edhe me “shakanë” prej burri të Sidritit). Njoh persona të jashëtzakonshëm gej, të cilët janë më shumë burra se çdo burrë tjetër që mendon se burrërinë ia jep gjinia apo orientimi seksual. Njoh edhe shumë vajza lezbike që janë shumë më burra se gjithë këta më lart, ashtu siç janë njëkohësisht edhe me një feminilitet të atillë që të shastis në të gjitha rastet.

Për të tjerat, jam pak a shumë dakort me Cukalin. Kemi të gjithë të drejtë të kemi një mendim tonin. Nëse ky mendim është diskriminues, nga ai i formës së fshehur që është dhe më i rrezikshmi, është mirë të mos shkojë në një televizion kombëtar e ta thotë me zë të lartë…

Komente (0)add comment

Ky artikull ka nevojë edhe për mendimin tënd...
zvogëloje | zmadhoje

busy



Artikuj që mund të të interesojnë...


Ju jeni këtu: LAJME | Nga Vendi | Humori që fyen dhe diskriminimi i sofistikuar

Aktivitetet dhe Party

Komentet e fundit