• Regjistrohu
    *
    *
    *
    Fields marked with an asterisk (*) are required.
English

Një debat (jo vetëm) i gabuar për homoseksualët

Ndaje ne Facebook

Në një televizion të rëndësishëm shqiptar, ditën e djeshme u transmetua një debat shumë sensitiv në lidhje me: a duhet të ndryshohet në Shqipëri Kodi i Familjes në mënyrë që të mundësohen martesat brenda së njëjtës gjini, apo jo! Të ftuar në këtë emision ishin dy përfaqësues të Ambasadës PINK, një projekt që i kushton qeverisë holandeze mbi 300 mijë euro për vetëm 3 vjet, një pastor besimit ungjillor (protestant) besim që tashmë përfiton lekë nga buxheti i shtetit si një fe e pestë zyrtare, dhe një përfaqësues tjetër i komunitetit mysliman.

Për hir të së vërtetës, ky është një nga ato debate që vende shumë të zhvilluara europiane, por edhe shoqëria amerikane kanë vite që e kanë filluar dhe sigurisht, kanë vite që artikulojnë argumente të ndryshme, pro apo kundër këtij debati. Paneli shqiptar në fjalë në vetvete është një pasuri e vërtetë për një debat me shumë ngjyra, e nga debatet shoqëria jonë nuk humbet, përkundrazi, fiton shumë.


Shkruesi i këtyre radhëve, është në jetën e përditshme një aktivist për të drejtat e homoseksualëve, por ndonëse në parim është dakord me martesat brenda së njëjtës gjini, si një e drejtë legjitime e dy njerëzve për të ndarë bashkë jo vetëm vitet e jetës së tyre, por edhe të mirat materiale dhe shpirtërore që trashëgojnë, në të vërtetë mendon se ky debat është fals në Shqipëri, i pasinqertë dhe strategjikisht i gabuar! Dhe se paneli i lartpërmendur ishte i gjithi “jashtë loje” dhe i kompromentuar që në fillim. Dhe ja përse…


Pse debati i martesave gay është fals?

Debatet thelbësore për të drejtat e njeriut në media kombëtare të një vendi synojnë të përfaqësojnë realitete të reja shoqërore që kërkojnë të dalin në sipërfaqe e të legjitimohen. Mirëpo, historia na ka treguar se ndryshimet në një shoqëri nuk mund të vijnë nga “lart”, por rrjedhimisht aty ku sendërtohet një nevojë, një kërkesë apo një mendim, – e në vazhdim lart, drejt autoriteteve që kanë mundësi të ndryshojnë ligje, e kësisoj të legjitimojnë realitete të reja shoqërore. Në rast se ndodh kështu, atëherë ndryshimi është gjithëpërfshirës. Mirëpo debati i mësipërm që herë pas here tenton të nxjerrë kokën lart pas një tentative të Berishës për tu shfaqur “open minded” 2 vjet më parë, për hir të së vërtetës, nuk ishte një debat që vjen i shëndetshëm direkt e nga komuniteti LGBT në Shqipëri. Cili përfaqësues i komunitetit LGBT mund sot të tregojë mendimin e vet në një media kombëtare?

Për fat të keq, debati i mësipërm vjen vazhdimisht si një propozim i një projekti që kushton mbi 300 mijë euro e që zbatohet sot nga një organizatë që në Gjykatën e Tiranës është regjistruar si një organizatë që punon më së pari, për të drejtat e fëmijëve, jo për të drejtat e homoseksualëve.

Si një ish drejtues i projektit “PINK Embassy”, dhe si një gazetar njëkohësisht, ndjej nevojën të sqaroj se projekti në fjalë (PINK Embassy) nuk ka për qëllim që të provokojë në publik debate që nuk mund të sjellin dot asnjë ndryshim pozitiv, e kësisoj të dëmtojnë që në rrënjë kauzën e komunitetit LGBT (lesbikeve, gejve, biseksualëve, transgjinorëve). Përkundrazi, qeveria holandeze ka miratuar mbi 300 mijë euro që sot i menaxhon organizata e fëmijëve CRCA, jo që të dalë në media si provokuese e një shoqërie “djerrë”, po që të ndihmojë vetë komunitetin e fshehur sot homoseksual, që të krijohet më së pari, të fuqizohet, e pastaj të jetë i aftë vetë që të luftojë për të drejtat e vet. Projekti “Pink Embassy” ka hyrë në vitin e vet të dytë, ama ndonëse ka marrë në llogaritë bankare të organizatës CRCA (organizatë që mbron të drejtat e fëmijëve) të gjitha këstet nga qeveria holandeze, ka dështuar në misionin për të krijuar, fuqizuar e për të ndërgjegjësuar një komunitet grassroots (më këmbë në tokë) nga komuniteti LGBT. Për pasojë, sot në Tiranë dhjetëra, qindra e më shumë djem e vajza të këtij komuniteti ose nuk e frekuentojnë këtë, por përkundrazi, e kanë bojkotuar atë! Bëjnë “party” çdo javë në një vend tjetër, mblidhen çdo ditë e çdo javë për të folur për të drejtat e tyre diku tjetër, ndajnë me njëri-tjetrin hallet dhe sëkëllditë e përditshme, jashtë skemës së projektit “PINK”, e kështu me radhë. Mirëpo, për të justifikuar milionat, Ambasadës PINK i duhet që të provokojë në media debate (kjo është e vetmja mënyrë për të dokumentuar diçka). Dhe çfarë bën? E kap çështjen nga bishti! Provokon një debat që në fakt, sot për sot, nuk i hyn në punë as dreqit!


Pse debati për martesat gej është strategjikisht i gabuar?

Më shumë se dy vjet më parë, këtë debat e nisi z. Sali Berisha me deklaratën “Do të miratojmë ligjin për martesat gej”!

Ne e dimë fare mirë se kryeministri ynë me një origjinë shumë konservatore dhe të izoluar në malet e mrekullueshme të veriut, nuk është se i kupton mirë të drejtat e njeriut, ama i përdor në mënyrë shembullore ato për të devijuar vëmendjen e opinionit publik nga zullumet që i bën vetë! Në atë kohë, Shqipëria nuk kishte akoma një ligj që luftonte diskriminimin, pavarësisht orientimit seksual, përkatësisë gjinore, përkatësisë familjare, bindjeve politike, aftësive fizike etj. E megjithatë, Berisha kërkonte martesat gej! Strategjikisht, ai e dëmtoi që në gjenezë kauzën e të drejtave LGBT. Edhe sot, po të bësh një sondazh të thjeshtë do të kuptosh se shumica e shqiptarëve, për fat të keq e konsiderojnë Ligjin kundër Diskriminimit, si “ligji i homoseksualëve”, ndaj brenda një viti të tërë vetëm 8 persona (nga mbi 3 milionë shqiptarë), u ankuan si të diskriminuar! Çështja më e bujshme, e këtij institucioni është fryt i vetë shkruesit të këtyre radhëve që e denoncoi z. Tritan Shehu si homofob e që, në fakt, nuk i hyri asnjë gjemb në këmbë, ndonëse sipas ligjeve në fuqi ai minimalisht duhet të kërkonte ndjesë për gjuhën e urrejtjes që shfaqi kur i quajti “të sëmurë” homoseksualët”.

Kësisoj, pse CRCA, një organizatë që punon me UNICEF për fëmijët, kërkon të dëmtojë kauzën e LGBT duke kërkuar martesat brenda së njëjtës seks, kur çunat dhe gocat e këtij komuniteti kanë halle dhe nevoja të tjera më emergjente dhe më jetësore? Komuniteti i vajzave dhe djemve homoseksualë vuajnë çdo ditë diskriminimin e skajshëm, frikën e tmerrshme të të qenit “ilegalë”, në një shoqëri që nuk i diskriminon sepse i urren, më shumë se i diskriminon ngaqë nuk i njeh, e ngaqë nuk ka informacion! Çfarë bën PINK Embassy në këtë rast? Në vend që të shpenzojë milionat që merr për të edukuar shoqërinë, propozon debate televizive të parakohshme, të dëmshme për kauzën dhe totalisht të pasinqerta! Është turp që shoqëria civile, sot përfaqësohet nga milionerë me “Range Rover” që dinë vetëm të shpërthejnë shashka pa flakë e pa tym ose në hotele luksoze në tryeza të rrumbullakëta, ose në media që e kanë të pamundur ta bojkotojnë! E përkundër kësaj, të drejtat e mbi 3 milionë shqiptarëve parakalojnë si në parada me tapete të kuq në televizione, konferenca, debate apo gazeta, sikur të ishin trofe pasurimi, e jo detyrim, kauzë, apo nevojë për të ndryshuar!

Burimi: Shekulli

Komente (3)add comment

gerdi123 tha:

me: 29/10/2011 ora: 19:08:53
0
shume shpejt per mentalitetin shqipetar qe te ndryshoje dispozita lidhur me martesen ne kodin e familjes
   
 

tarkan tha:

me: 30/10/2011 ora: 15:34:11
Tarkan
gjithe ky shkrim i gjate per hic asgje.askush nuk e di pse homoseksualet kerkojne martesat me te njejtit sex- jo vetem ne shqiperi qe homoseksualiteti eshte akoma nje tabu' edhe nga vete homoseksualet, eshte shpejt te flitet per martese. pastaj thuaj qe martesa zgjidh te gjthe problemet qe kemi, kur dhe vete ciftet etero, sot, me teper se martese preferojne bashke jetese. me duket cudi qe nuk kemi dale akoma me kerkesen per te adoptuar femije. nuk e di se ligji ne shqiperi ka kaluar . por te kaloje. asgje nuk do te ndodhi. dashurine dhe respektin qe kemi ndaj partenereve qofte edhe problemet nje ligj nuk do ti ndryshoje qofte edhe nje fije floku,   
 

Ardi80 tha:

me: 25/11/2011 ora: 02:02:10
Ardi80
lexova vetem pjesen e pare ku ju hidhn fajin lgtb se ju ka vjedhur prezantuesit. je qesharak, i moreleket bej dicka plehre   
 

Ky artikull ka nevojë edhe për mendimin tënd...
zvogëloje | zmadhoje

busy



Artikuj që mund të të interesojnë...


Ju jeni këtu: LAJME | Nga Vendi | Një debat (jo vetëm) i gabuar për homoseksualët

Aktivitetet dhe Party

Komentet e fundit