• Regjistrohu
    *
    *
    *
    Fields marked with an asterisk (*) are required.
English

PRO LGBT: “Të ndryshohet Kodi i Familjes”

Ndaje ne Facebook

Kristi PinderiA ka një komunitet të deklaruar LGB në Shqipëri?

Përcaktori “të deklaruar” më tingëllon keq kur flitet për një komunitet, sidomos për një komunitet të lezbikeve, gejve, biseksualëve dhe transgjinorëve. Që të jesh pjesë e një komuniteti të caktuar, që ta ndjesh veten pjesë, që të kesh dëshirë të organizohesh, që të mendosh si të realizosh kërkesa apo interesa të një komuniteti të caktuar, të gjitha këto pra, nuk kërkojnë të deklarohesh, nuk kërkojnë të firmosësh ndonjë copë kartë ku të deklarosh se ti JE, apo se ti NUK JE pjesë e komunitetit të caktuar. Ka vajza dhe djem të rinj, por dhe jo aq të rinj të cilët zhvillojnë bashkë një jetë komunitare. Shumë prej tyre jetojnë të fshehur jetën seksuale dhe nuk ia pranojnë askujt orientimin e vet seksual (pra nuk e deklarojnë atë), ama mblidhen e diskutojnë për çështje e interesa të përbashkëta. Në këtë kontekst, interesat e përbashkëta, nuk kanë të bëjnë me interesa seksuale, siç mund të mendojë dikush. Aktivitetin seksual njerëzit sot e zhvillojnë në privatësinë e intimitetin e tyre dhe nuk kanë pse e ndajnë atë me komunitetin të cilit i përkasin. Por bisedojnë për probleme si: Si t’ia bëjmë që të jetojmë pa frikë?

Si t’ia bëjmë që të jemi të sigurt se nuk rrezikojmë askund, as në punë, as në familje, as në shoqëri, nëse rastësisht dikush e merr vesh për orientimin seksual? Si t’ia bëjmë që të ndalojmë të flitet në media apo në çdo medium publik në mënyrë diksriminuese për personat që janë LGBT, apo për prindërit e tyre, apo për motrat, vëllezërit e tyre? Si t’ia bëjmë që të zhvillojmë sa më shumë aktivitete ku këta persona të ndihen njerëz me 100 përqind të drejta të garantuara si njerëz, pasi të drejtat e njeriut janë të vetmet pasuri që në qeniet njerëzore i trashëgojmë dhe i përfitiojmë direkt, qysh ditën që lindim?

Këto çështje janë ato që e përbashkësojnë atë që ne e quajmë komuniteti LGBT. Sigurisht që ka një komunitet të tillë, madje shumë aktiv, dhe të pranishëm në çdo pjesë, element, segment apo institucion të këtij vendi.


Përqidja më e madhe e shqiptarëve e konsiderojnë homoseksualizmin një sëmundje. Na trego pak rreth punës drejt mendjehapësisë së tyre .

Puna për edukimin e shoqërisë në lidhje me këtë fakt, ka nisur vite e shekuj më parë. Në fshehtësi madje, çiftet gay të mesjetës, ndonjëherë edhe brenda mureve të sigurta të kishave e manastireve, atje ku dhe dija kishte mundësi të ndriconte shpirtin e mendjen, edukonin njëri tjetrin me përkushtim se ajo që ndjenin nuk ishte mëkat, nuk ishte perversitet, por dashuri. Më vonë shkimtarë, shkencëtarë, mendjendritur të papërsëritshëm, e shpirtra nga ata që ne i quajmë hyjnorë sot, e vazhduan këtë proces edukimi. Oscar Wilde shqetësohej realisht për këtë gjë, kur nga burgu jo vetëm i shkruante të dashurit të vet të gjitha mendimet, ndjenjat e brengat e shpirtit, por njëkohësisht i jepte një leksion të përjetshëm dashurie dhe jete të gjithë shoqërisë. U institucionalizua mbi 30 vjet më parë, kur zyrtarisht homoseksualizmi u hoq nga lista e sëmundjeve dhe u konsiderua si një sjellje jo anormale, pra si një sjellje natyrore njerëzore. Mos harrojmë se shkenca merret me fakte, me studime, e me mendim racional, jo me bestytni apo me mendime fetare që fatkeqësisht janë transmetuar apo interpretuar gabim në dhjetëra shekuj obskurantizmi të mesjetës.

PRO LGBT që unë përfaqësoj punon çdo ditë për edukimin e njerëzve. Ne të gjithë jemi në punë edukuese çdo ditë, çdo moment, me këdo: me miqtë tanë, me familjet tona, me partnerët apo partneret që kanë nevojë për edukim, me kolegët apo koleget, me këdo që ka nevojë të edukohet, e që ne kemi mundësi t’i ndihmojmë të kuptojnë. Vetë komuniteti LGBT brenda organizatave apo jashtë organizatave, në fakt, është duke e edukuar gjithë shoqërinë, përmes shembujve jetësore të tyre: dikush që punon mirë, edukon kolegët me idenë se të gay apo lezbike janë dhe ata që dinë të performojnë mirë në punë; dikush që është i përkushtuar me mirësi ndaj shoqërisë, edukon gjithë të tjerët me idenë se të jesh gay apo lezbike, nuk qënka kaq ndryshe nga të jesh hetero, se dhe një gay dhe një lezbike qënkan njerëz të përsosur, të dashur e të përkushtuar ndaj shoqërisë; dikush që tregohet i dashur dhe i mirëkuptueshëm me familjarët në këtë vend ku familja po rrënohet nga imoraliteti shoqëror që me pa të drejtë identifikohet ndonjëherë me komunitetin LGBT, është në fakt duke edukuar familjarët e vet se personat gay lindin në një familje, janë pjesë e një familje dhe aspirojnë të kenë familjen e tyre dhe se nuk kanë asgjë as edhe një gjë kundër familjes, madje e konsiderojnë atë si bërthamën thelbësore të mirëqenies së tyre qoftë fizike dhe ekonomike, qoftë shpirtërore. Mos harroni që shumë çuna e vajza gej kanë një marrëdhënie shembullore me familjen e tyre dhe janë personat më të dashur nga të gjithë, fale përkushtimit, sinqeritetit dhe njerëzillëkut me të cilin trajtojnë familjen e tyre dhe veten e tyre. Nga ana tjetër, duke bërë këtë intervistë, ne gjithashtu edukojmë! Duke qenë të vëmendshëm për të sjellë lajme në gazeta, faqe interneti apo në televizion, lajme edukuese dhe emancipuese, ne gjithashtu edukojmë. Kur them “ne” kam parasysh jo vetëm aktivistët për të drejtat e njeriut, por edhe ata qindra e mijëra njerëz që mendojnë me shpirt e me mendje të kthjellët dhe që e kanë kuptuar se të diskriminosh apo internosh pjesëtarët e shoqërisë vetëm pse kanë një orientim homoseksual, është një krim i madh dhe një krim që shkon kundër rrjedhës dhe së drejtës së historisë.


Ata të cilët deklarojnë preferncën e tyre homoseksuale janë të cënuar fizikisht dhe psikologjikisht? A mund të kenë një jetë të qetë?

Të gjithë pjesëtarët e komunitetit LGBT cënohen psikologjikisht që në momentin kur vetë, në mënyrë vetmitare dhe të izoluar zbulojnë seksualitetin e tyre. Cënohen nga një shoqëri që i ka të përcaktuara mirë rolet gjinore të secilit. Kjo është një ndrydhje e ngritur në sistem, që ndodh ditë pas dite, në mënyrë sistematike. Dhunohen shumë herë fizikisht ata apo ato që janë më të guximshëm, e që “guxojnë” të shprehin me veprimet apo mendimet e tyre, padrejtësinë e përbashkët shoqërore në të cilën jetojmë…


Ofron legjislacioni shqiptar mbrojtje për ta?

Ofron, por nuk zbatohet! Ndonëjehrë vetë njerëzit nuk kërkojnë ndihmë nga legjislacioni, pasi janë ende duke luftuar me një betejë më të rëndësishme, se ajo ligjore: janë ende duke luftuar për të ndryshuar mentalitetin.


Martesat midis homoseksualeve është një temë e cila kohë më parë u deklarua e mundshme. A është Shqiperia gati për një hap të tillë?

Duhet të biem fillimisht dakort se çfarë nënkuptojmë ne me martesë! Martesa si koncept juridik por edhe social, është “përdhunuar” nga njerëzimi në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike. Vajzat shqiptare kanë qenë për shekuj të tëra të “përdhunuara” edhe literalisht nga bashkëshortët të cilët nuk i zgjidhnin vetë, por ua bënin peshqesh në pajë prindërit! E mbani mend atë deklaratën e një vajze në Big Brother 3…?

Gjatë komunizmit, konceptit të martesës iu vendos një konotacion moral, një konotacion gati gati shtetëror, jo vetëm kulturor apo social. Të divorcoheshe ishte temë e lagjes dhe objekt shqyrtimi shtetëror në atë kohë, ama se çfarë ndodhte brenda mureve të dhomës së gjumit në lidhje me këtë bashkëjetesë, nuk kishte rëndësi. Lumturia, mirëqënia psikologjike dhe fizike brenda një bashkëjetese nuk kishte absolutisht asnjë vlerë as për shtetin, as për shoqërinë. Nëse flisni për atë lloj martese, unë besoj se asnjë prej personave LGBT nuk do donte as të fliste e as të luftonte!

Ndërsa bashkëjetesa që zgjidhet mes dy personave që si motiv të kësaj zgjedhje kanë dashurinë, atëherë ajo po, ajo është modeli ideal dhe më i vërtetë i një “martese” që vlen de facto prej mijëra vjetësh edhe për personat LGBT. Juridikisht, duhet të modifikohet. Se fjala vjen, nëse një djalë gay, ka nevojë sot të bëjë një transplant organesh dhe partneri i tij gay mund ta ndihmojë, sipas ligjit ky lloj transplanti nuk mund të bëhet: duhet të jesh familjar, ose të kesh lidhje gjaku të nivelit të parë (kushërinj të parë) që ta dhurosh organin tënd për të dashurin tënd! Kjo nuk është e drejtë! Ndryshimi i kodit të familjes në Shqipëri, vetëm një përcaktim i thatë i tij, në fakt, do ti jepte udhë zgjidhjes së këtyre problemeve burokratike dhe ligjore. Burokracia dhe ligjet bëhen që të na lehtësojnë jetën, jo që të na e bëjnë atë të pamundur…


Cilat janë hapat e natyrshme në mendesinë dhe legjislacionin e një shteti për të arritur në legjitimin e martesës midis sekseve të njejta?

Së pari, përfaqësuesit e popullit në vende ku bëhen ligje e ku vendosen fatet e popullit, duhet të jenë të edukuar mjaftueshëm për të qenë qënie njerëzore, para se të jenë qenie të mangëta pseudo-politike. Fjala bie, z. Tritan Shehu, duhet të jetë së pari njeri në Komisionin e Shëndetësisë e Cështjeve Sociale, përpara se të bëhet atje zëdhënës i një shkolle fetare të cilën e përfaqëson, e të sillet si një person që mendon për njerëzit që përfaqëson, jo për shkollat e krishtera apo për fenë muslimane me të cilat ka lidhje si individ, jo detyrimisht si deputet! Ky rast, vlen për 139 të tjerët në Kuvendin tonë, të cilët bëjnë ligje!

Komente (2)add comment

studenti tr tha:

me: 16/07/2011 ora: 01:17:03
0
Bravo Kristi qe na hape syte ne erresiren qe ka kapluar sot shoqerine shqiptare!jam shum i lumtur qe po jap mendimin tim,kam kohe qe sjap mendime.Mendoj se edukimi ne familje do ishte menyre e mire per te ndihmuar gayte ne kapercimin e disa veshtiresive.te ndihmosh te tjeret eshte nje virtyt i madh,te ecesh ne rrugen e dashurise si djemte dhe vajzat e komunitetit tone,eshte njesoj si te ecesh ne rrugen e zotit me ka thene nena,mua!ska problem fare nese ndihesh i tille thelle ne shpirt,madje me mire kshu sepse ke aftesine te kuptosh te tjeret,je me i dashur,me i perkushtuar ndaj familjes,per mua gayte kane vlera edhe nese nuk kryejne marredhenie homoseksuale   
 

studenti tr tha:

me: 16/07/2011 ora: 01:17:52
0
.KJo nuk eshte kusht i domosdosshem qe te jesh gay,te jesh gay ,eshte nje menyre jetese plot kujtime endrra deshira,ku ti je protagonisti kryesor dhe i ke aftesite per ti realizuar njesoj si mua ,un sot jam aty ku ndodhem,prane miqve dhe prinderve qe me duan,studjoj shume,qe ti sherbej shqiperise,dhe ti bej te lumtur shqiptaret.ata kete duhet te kuptojne miresine e njerzve te tille,sepse te kesh frike nga e mira eshte marrezi per mua.te vleresohen vlerat dhe te rrezohen antivlerat qe po groposin cdo te mire qe te paret tane na e kane lene,kane derdhur gjakun e tyre per ate qe ne jemi sot,ketu!Nje keshille ta keni nga mua,dashuri per te tere ,hapeni zemren sepse vetem keshtu do ju duan po njesoj,lumturojini te tjeret ,njesoj do jetoni edhe juve,pranojini te tjeret edhe ata do bejne te njejten gje me juve!!Naten e mire ,gjume te embel!
RESPEKTE TE GJITHEVE,DASHURI NE ZEMRAT TONA!
   
 

Ky artikull ka nevojë edhe për mendimin tënd...
zvogëloje | zmadhoje

busy



Artikuj që mund të të interesojnë...


Ju jeni këtu: LAJME | Nga Vendi | PRO LGBT: “Të ndryshohet Kodi i Familjes”

Aktivitetet dhe Party

Komentet e fundit